Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video, në të cilën shfaqet një qytetar italian duke luajtur himnin shqiptar në shenjë falenderimi për dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve në Itali.
Qytetari italian që shfaqet në video, e konsideron gjestin e Shqipërisë si të një miku që “edhe kur ka euron e fundit në xhep, ta jep”.
“Kam marrë me shumë kënaqësi e kthyer me po aq përunjësi falenderime, mijëra mesazhe nga Italia, që nga kryeministri, ministra e lider partish, senatorë, deputetë, tek njerëz të kulturës e të sportit dhe njerëz të panjohur, që kalonin sms e tyre përmes shqiptarësh në Itali, të cilët edhe ata më kanë shkruar pafund nga ana e tyre…
Por, kur më erdhi dorë pas dore mbrëmë vonë, KJO VIDEO E BËRË NË BALLKON NGA NJË QYTETAR ITALIAN, JAM DRITHËRUAR FORT dhe në pamundësi për t’ia dhënë dot drejtëpërdrejtë, falenderimin e thellë që meriton ky njeri i panjohur, JAM I BINDUR SE TË GJITHË JU, DO TË BASHKOHENI ME MUA, duke e ndarë me të tjerë këtë perlë të rrallë, derisa do Zoti i mbërrin në dorë me një #GRAZIEdiCUOREdalALBANIA, dikujt që e njeh këtë zotëri fisnik”– shkruan Rama.
Italia është vendi më i prekur në Europë nga koronavirusi, i cili ka shkaktuar një numër të lartë viktimash.
30 mjekë dhe infermierë shqiptarë mbërritën në Romë të shtunën, ku u pritën nga Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio.