Eksperti dhe zëdhënësi i qeverisë greke, Sotiris Tsiodras, ka konfirmuar se numri i të vdekurve nga Covid-19 në Greqi është rritur në 43.
Në një konferencë për shtyp të hënën, Tsiodrias tha se numri i rasteve të reja të të infektuarve ishte 56, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 1212.
Tsiodras shtoi gjithashtu se 72 pacientë janë intubuar ose po mbahen në kujdes intensiv, shkruan gazeta greke Ekathimerini.
Ndërsa përshëndeti rënien e numrit të rasteve të reja në një ditë, 56 nga 95 që ishte të dielën, Tsiodras tha se situata mbetet “e pasigurt”.
“Virusi ende po përhapet ngadalë, gjë që na lejon të pajisemi më mirë në mënyrë që t’i japim vendit tonë mundësinë për të qëndruar një hap përpara”- tha ai.
Ndërkohë, zëvendësministri për Mbrojtjen Civile, Nikos Hardalias, tha se uzina e Korporatës Energjitike Publike në Ptolemaida në Greqinë veriore po mbyllet për 30 ditë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri në Kozani, një nga rajonet që është goditur më keq nga epidemia.