Vendosni fjalën kyçe....

Kush e përfiton pagesën prej 260 mijë lekësh dhe si duhet të veprojë, zv.ministrja e Ekonomisë sqaron procedurat


Zv. Ministrja e Ekonomisë, Vasilika Vjero, ka sqaruar se kush do e përfitojë pagën minimale prej 260 mijë lekësh të propozuar nga qeveria.

Numri dy i ministrisë deklaroi se përfitues do jenë 13 mijë taksapagues dhe 60 mijë të punësuar.

Ata do e përfitojnë këtë pagesë që nga prilli e deri në qershor të këtij viti, tha ajo në një lidhje me Ora News.

“Qeveria shqiptare në përgjigje të situatës nga Covid-19 ka miratuar një paketë të ndihmës financiare, ku pjesë e kësaj pakete do të jetë edhe financimi i personave që të zhvillojnë aktivitetin e tyre të punësimit, në një kategori të bizneseve që tashmë janë mbyllur. Janë rreth 13 000 taksapagues që do të përfitojnë nga kjo paketë. Nuk do të përfitojnë vetëm kompanitë, por edhe të punësuarit e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këta mund të jenë të vetëpunësuar, me punëmarrës, punonjës të papaguar të familjes që nuk marrin pagë por kontribuojnë në biznesin familjar. Janë rreth 60 000 të punësuar të cilët do të kenë mundësi duke filluar qysh nga muaji prill, maj dhe qershor të cilët do të marrin pagën minimale 26 000 lekë.” – tha Vjero.

Më tej, Vjero tha se me procesin do merrej Drejtoria e Tatimeve ndërsa tatimpaguesit duhet të bëjnë kërkesë elektronike prej nga ku do merren të dhënat për të kryer pagesën për përfituesit.

“Me anë të një VKM-je është përcaktuar se do të jetë Drejtoria e Tatimeve që do të merret me këtë proces, ku tatimpaguesit duhet të bëjnë një kërkesë në mënyrë elektronike Drejtorisë së Tatimeve. Sistemi ynë i deklaratave dhe pagesave është i gjithë online, prandaj nuk do të ketë asnjë vështirësi dhe pengesë për të prezantuar kërkesën e tyre. Kërkesa e tyre duhet të përmbajë jo vetëm të dhënat për biznesin e tyre, por edhe për punonjësit e tyre, të dhënat e tyre të identifikimit dhe llogaritë e tyre bankare, ku do të derdhet shuma. Pjesë e kësaj pakete ndihme ekonomike do të jetë edhe ata që marrin ndihmë ekonomike, por edhe ata që janë në listën e papunësinë. Fondi për këto dy kontingjente do të jetë i dyfishuar.” – shtoi Vjero.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *