Sjellja e dhunshme kundër punonjësve të farmacive në Francë është rritur që kur u vendos karantina e rreptë, tha shefja e shoqatës së farmacistëve të vendit.
“Situata është përkeqësuar. Izolimi ka tendencë të përkeqësojë frikën, ankthin dhe agresionin,” tha Carine Wolf-Thal, kryetarja e Dhomës Kombëtare të Farmacistëve për gazetën ‘Le Parisien’.
“Sistemi ynë tregon një rritje prej 50 deri në 60 përqind të veprimeve agresive kundër farmacistëve që nga fillimi i regjimit të izolimit në krahasim me të njëjtat javë të vitit të kaluar. Këto veprime përfshijnë fyerje, kërcënime, por edhe sulme fizike dhe grabitje.” – shtoi ajo.
Wolf-Thal tha se rritja e sjelljes së dhunshme ndaj stafit në farmaci është e frikshme duke marrë parasysh që Dhoma e Farmacistëve ka mobilizuar rreth 55,000 profesionistë për t’i shërbyer publikut gjatë pandemisë.