Analizat për koronavirusin, Prokuroria e Tiranës nis hetimet për Spitalin Amerikan
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj Spitalit Amerikan për shkak të analizave që ky subjekt privat po kryen për COVID-19.
Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, konfirmoi për “Vizion Plus” se Policia e Shtetit ka bërë një kallëzim pranë organit të akuzës për të nisur hetimet për mashtrimet që po iu bëhen qytetarëve shqiptare me testet, në kushtet e pandemisë.
Mësohet se Prokuroria e Tiranës do të hetojë subjektin privat, Spitali Amerikan, sipas nenit 267 të Kodit Penal për përhapjen e informatave të rreme që ngjallin panik si dhe bazuar ne nenin 174 të Kodit Penal për kontrabande me mallra të tjera.
Organi i akuzës do të hedhë shortin për të caktuar se cili prokuror do të hetojë këtë çështje
Zyrtarisht testi për koronavirusin kryhet vetëm nga Instituti i Shëndetit Publik, analizë që bëhet përmes tamponeve nazo-faringial dhe jo përmes gjakut.
ISHP ka ekskluzivitetin në Shqipëri për të kryer këtë lloj analize pasi duhet certifikimi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Asnjë spital privat në Shqipëri nuk është certifikuar nga OBSH për këtë lloj analize.
Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë sqaroi të gjithë qytetaret, se analizat për COVID-19, nuk mund të kryhen nga asnjë spital apo laborator privat në Shqipëri.
Edhe Agjencia Kombëtare e Barnave në një reagim të saj saktësoi se deri më tani nuk ka lëshuar asnjë certifikate regjistrimi për diagnostifikimin e koronavirusit.
Në këto kushte, Spitali Amerikan po kryen analiza të pakonfirmuara nga OBSH dhe nga instancat shtetërore, e mbi të gjitha që këto analiza nuk kanë rezultat dhe nuk tregojnë asgjë.
Në këto kushte Spitali Amerikan ka shfrytëzuar panikun dhe frikën e qytetarëve duke shpikur një analizë që kushton sa një pagë mujore mesatare në Shqipëri për të zhvatur para nga qytetarët.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Vizion Plus