Ditët e fundit në mediat amerikane është ngritur shqetësimi se stoku i urgjencës së qeverisë së SHBA-së për maskat mbrojtëse, doreza dhe pajisje të tjera mjekësore po shkon drejt përfundimit.
MSN shkruan se kërkesa për pajisje sigurie është e menjëhershme dhe e përhapur, me zyrtarët shëndetësorë, drejtuesit e spitalit dhe qeveritarët që thonë se mungesat e tyre janë kritike dhe se personeli mjekësor po rrezikon jetën ndërsa po përpiqen të ndihmojnë numrin në rritje të pacientëve.
Ndërkohë CNN shkruan se administrata e Trump nuk do të dërgojë më pajisje mbrojtëse personale për aleatët jashtë shtetit pasi SHBA vetë mund të përballet me mungesë kritike të tyre.
Një burim i kongresit i tha CNN-it të mërkurën se ata ishin informuar vonë të premten e kaluar se forca e udhëhequr nga zv.presidenti Mike Pence, po ndalonte dërgesat jashtë shtetit të pajisjeve mjekësore dhe në vend të kësaj kërkonte që furnizimet të shpërndaheshin brenda Shteteve të Bashkuara.
I pyetur në lidhje me këto raporte, presidenti Donald Trump tha se nuk kishte “asnjë të vërtetë” për to. Sidoqoftë, disa minuta më vonë, ai shtoi se këto pajisje mund t’i duhen amerikanëve më shumë për veten dhe për këtë nuk do të dërgojnë më shumë ndihma jashtë.
Shtetet e Bashkuara kanë tani numrin më të madh të të prekurve nga koronavirusi në botë, mbi 209 mijë, ndërsa të vdekurit kanë arritur në mbi 4,600.