Vendosni fjalën kyçe....

“Do t’ju çoj në varr”- Duterte urdhëron policinë dhe ushtrinë të qëllojnë qytetarët që shkelin karantinën


Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, ka paralajmëruar se ata që shkelin karantinën në mes të krizës së Covid-19 mund të përfundojnë të vdekur, duke i dhënë porosi forcave të policisë që të qëllojnë mbi ata që shkelin masat.

Paralajmërimi i ashpër erdhi gjatë një transmetimi televiziv të paplanifikuar të mërkurën në mbrëmje.

“Unë nuk do të hezitoj. Porositë e mia janë për policinë dhe ushtrinë, si dhe për qarqet, që nëse ka telashe ose lind situata ku njerëzit luftojnë dhe jeta juaj të jetë në rrezik, qëllojini ata për vdekje. E kuptoni?  Të vdekur. Në vend që të shkaktoj telashe, do t’ju dërgoj në varr.”– tha presidenti, citon RT.

Duterte dha urdhrin vetëm disa orë pasi ishin ngritur të protestonin 21 banorë në Quezon City, shumica prej të cilëve ishin punëtorë fabrike me të ardhura të ulëta apo punëtorë ndërtimi, të cilët kishin mbetur të paaftë për të punuar për shkak të bllokimit.

Ata u arrestuan pasi kishin dalë të protestonin pa leje, në një kohë kur tubimet janë të ndaluara.

Duterte u kërkoi atyre që kanë nevojë për ndihmë që të jenë të durueshëm, pasi sipas tij ndihma do të mbërrinte.

“Vetëm të prisni dorëzimin, edhe nëse vonohet ndihma do të arrijë dhe ju nuk do të keni uri”, tha ai, por i paralajmëroi banorët që të mos e sfidojnë qeverinë.

Filipinet kanë konfirmuar mbi 2.300 raste të Covid-19 deri tani dhe numërojnë 96 viktima. Por sipas OBSH-së, numri i tyre mund të jetë shumë më i lartë për shkak të numrit të ulët të testimeve atje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *