Vijon përplasja në distancë për testimet për koronavirusin, mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha.
Ky i fundit ka reaguar pas postimit ku Rama e ironizonte se nuk di tabelën e shumëzimit, duke iu kundërpërgjigjur se kryeministri po fshihet pas një komiteti teknik. Sipas tij kjo që njerëzit të mos e kuptojnë se sa i papërgatitur ai është.
Basha thekson se testimi masiv është e vetmja mënyrë për të zbuluar sa thellë është futur virusi në familjet tona.
“Testimi masiv është e vetmja mënyrë për të zbuluar sa thellë është futur virusi në familjet tona. Pa testuar, pa gjurmuar, pa izoluar, pasojat do të jenë shumë të rënda! KM po fshihet pas një komiteti teknik, me shpresë që njerëzit mos ta shohin se sa i papërgatitur është. Është përgjegjësi e qeverisë që të mbrojë shëndetin e njerëzve, të pajisë me mjetet e duhura ekipet mjekësore dhe të mbajë në këmbë ekonominë. Sulmet kundër opozitës nuk i fshehin dot dështimet e tij.”– shkruan Basha.
Pas thirrjeve të vazhdueshme që qeveria të rritë numrin e testimeve për koronavirusin, Rama tha sot me ironi se opozita nuk mundet dot të japë mend as për tabelën e shumëzimit, e jo më për rritjen e testimeve.
“PD s’mund të japë mend as për tabelën e shumëzimit, jo më për strategjinë e testimit! Strategjia e testimit është detyrë e Komitetit Teknik që udhëheq luftën në vijën e zjarrit.Detyra e politikës, qeverisë a opozitës është të dëgjojë dhe mbështesë ekspertët. Të tjerat janë 7×7=42”- shkruante Rama.