Vendosni fjalën kyçe....

Sot Dita Botërore e Shëndetit, sa është pritshmëria për të jetuar e shqiptarëve, si krahasohet me Europën


Sot është dita botërore e shëndetit. Për shkak të situatës së vështirë që po kalon gjithë bota, nga shpërthimi i pandemisë së koronaviruesit, kjo ditë ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe institucioneve.

Eurostat ka publikuar ndër të tjera dhe të dhënat për pritshmërinë pë të jetuar në lindje, që i referohen vitit 2017. Ky tregues mat numrin mesatar të viteve, që një person pret të jetojë kur lind, në rast se do të jetë subjekt i kushteve aktuale të vdekshmërisë përgjatë pjesës së mbetur të jetës.

Mesatarisht një njeri i lindur në Shqipëri pritet që të jetojë deri sa të mbushë 78 vite e 6 muaj. Një grua pritet të jetojë mesatarisht 3 vjet më shumë se një burrë. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat pritshmëria e jetëgjatësisë së një burri shqiptar në 2017-n ishte 77.1 vite përkundrejt jetëgjatësisë prej 80.1 vite së një gruaje.

Në Europë Shqipëria renditet e 26-a nga 44 vende, duke lënë pas vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, por mbetet pas shteteve të zhvilluara të Europë. Kështu jetëgjatësia mesatare në lindje në Malin e Zi përllogaritet të jetë 76.6 vite, dhe po aq në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi.

Megjithatë, jetëgjatësia në lindje në Shqipëri rezulton të jetë më e ulët se në Bashkimin Europian. Sipas Eurostat jetëgjatësia në lindje në 28 vendet e BE-së përllogaritet të jetë 80.9 vite, ku jetëgjatësia te burrat është 78.3, ndërsa te gratë 83.5.Mesatarisht, burrat kanë tendencë të jetojnë 5.4 vjet më pak se gratë në BE.

Shtetet që kanë pritshmërinë për jetëgjatësinë më të lartë në Europë janë Zvicra, me 83.7 vjet dhe Spanja e Italia, me përkatësisht 83.4 dhe 83.1 vjeç. Këto dy shtete të fundit kanë shënuar dhe numrin më të lartë të jetëve të humbura si rrjedhojë e koronavirusit. Jetëgjatësi të lartë ka dhe Franca me 82.7 vjet.

Vendet me pritshmëri për të jetuar më pak janë përgjithësisht ato të ish Bashkimit Sovjetik, Ukraina, Gjeogjia, Bjellorusia, me 76.6 vjet, ose rreth 2 vjet më pak se në Shqipëri.

Eurostat ka publikuar dhe një tregues tjetër, atë të viteve të shëndetshme të jetës, që për BE-në përfaqëson përkatësisht 77% dhe 81% të pritshmërisë totale të jetës në lindje për burrat dhe gratë. Suedia dhe malta janë dy shtetet që kryesojnë në këtë tregues, si për burrat ashtu dhe gratë. Të dhënat për Shqipërinë për vitet e shëndetshme të jetës mungojnë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *