Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin “Për miratimin e garancisë shtetërore të huasë me bankat e nivelit të dytë për pagat e bizneseve, aktiviteti i të cilëve është prekur nga vendimet e qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, si edhe për përcaktimin e kushteve dhe kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit”.
Në vendim integrohen dy draft marrëveshjet, që do të bëjnë të mundur zbatimin e Grancisë Shtetërore për Huanë:
– Marrëveshja e Garancisë “Për miratimin e garancisë shtetërore të huasë me bankat e nivelit të dytë për pagat e bizneseve, aktiviteti i të cilëve është prekur nga vendimet e qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19”;
– Marrëveshja e Mirëkuptimit, e cila do të nënshkruhet nga secili biznes që do të marrë kredi.
Marrëveshja e Garancisë do të ketë në Aneks të saj Marrëveshjen e Mirëkuptimit, nënshkrimi i së cilës do të jetë kusht për kualifikimin e huasë në skemën e garancisë për bizneset.
Duke qenë se nëpërmjet miratimit të Garancisë Shtetërore risku i kreditit i transferohet qeverisë, bizneset pjesëmarrëse në skemë do të kenë mundësinë të përfitojnë terma preferenciale për kreditë që do të merren për këtë qëllim, krahasuar me kushtet aktuale të tregut:
– Qëllimi i përdorimit të fondeve të Huasë do të jetë vetëm për të paguar pagat e punonjësve të Huamarrësit, bazuar në listëpagesat e procesuara pranë Bankave në muajin Shkurt.
– Vlera e Huasë e vendosur në dispozicion nga Bankat për çdo Biznes pjesëmarrës mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Biznesi, por duke mos tejkaluar vlerën e 3 pagave mujore bruto të punonjësve të deklaruar prej Biznesit në përputhje me Legjislacionin Tatimor në fuqi, por në asnjë rast vlera mujore bruto e pagës për punonjës nuk duhet të jetë më e lartë së 150 000 lekë.
– Termat dhe kushtet e Huasë do të përcaktohen në Marrëveshjen e Huasë, e cila do të nënshkruhet ndërmjet Bankës dhe Biznesit, në përputhje me Marrëveshjen e Garancisë.
– Në cdo rast dhënia e kredisë do të realizohet sipas politikave të brendshme të cdo banke në lidhje me riskun e kredisë, por bankat e nivelit të dytë do të sigurojnë procedura të thjeshtuara dhe kohë shumë të shpejtë të procesimit të kerkeses së kredisë.
– Në instrumentin e kredisë së garantuar nga kredia sovrane, biznesi mund të përfitojë një periudhë pa pagesë principali, jo më pak se 3 muaj.
– Marrëveshja parashikon edhe shqyrtimin e nevojës së kërkesës së ristrukturimit përgjatë kohës së shlyerjes së kredisë, me aprovim të Bankës në momentin e analizës së riskut për këtë kërkesë.
– Bankat e nivelit të dytë nuk do të aplikojnë kosto administrative mbi kredinë dhe do të ofrojnë një normë interesi preferenciale, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre ankandeve të fundit të bonove të thesarit 12 mujore plus një marzh prej 0.5%, por në asnjë rast jo më të lartë se 2.85%.
– Subjektet private duhet të përcjellin kërkesat e aplikimit për kredi pranë njërës prej bankave të nivelit të dytë, jo më vonë se 30 ditë nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Garancisë Shtetërore mes Këshillit të Ministrave dhe Bankës përkatëse.