Vendosni fjalën kyçe....

Jep dorëheqjen shkencëtari më i lartë i BE-së: I zhgënjyer si po menaxhohet kriza e koronavirusit


Jep dorëheqjen presidenti i agjencisë më të lartë të financimit të shkencave të BE-së, pasi nuk arriti të bindte Brukselin të krijonte një program shkencor në shkallë të gjerë për të luftuar Covid-19.

Shkencëtari italiano-amerikan, Mauro Ferrari, i cili ka udhëhequr Këshillin Europian të Kërkimit që nga janari, tha se ai kishte dhënë dorëheqjen pas një mosmarrëveshje për qasjen e BE-së ndaj krizës së koronavirusit, duke u shorehur se “ka humbur besimin në sistem”.

Në një deklaratë gati 1.000-fjalëshe të botuar nga Financial Times, Ferrari përshkroi ndarjen mes tij dhe agjencisë së BE-së, duke përmendur një “stuhi të brendshme politike” që përfshin nivelet më të larta të Komisionit Evropian.

Ai paraqiti dorëheqjen të martën pasdite tek presidentja e komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

 “Unë kam qenë jashtëzakonisht i zhgënjyer nga përgjigjja evropiane ndaj Covid-19”– tha Ferrari.

Ai tha se kishte dështuar financimi i shkencëtarëve për të trajtuar krizën. Ferrari tha se propozimi i tij që këshilli “të krijonte një program të veçantë të drejtuar në luftimin e Covid-19” ishte “refuzuar unanimisht nga organi drejtues i ERC”.

Me një buxhet vjetor prej pak më shumë se 2 miliardë euro në 2019, Këshilli Evropian i Kërkimit (ERC) shpërndan para nga buxheti i BE-së për të financuar shkencëtarët për të ndjekur hulumtimet e tyre.

Ferrari tha se përçarja e tij me Komisionin Europian filloi në fillim të marsit “pasi u bë e qartë se pandemia do të ishte një tragjedi me përmasa ndoshta të pashembullta”.

Ai tha se propozoi atëherë të krijonte një program të veçantë ERC për të luftuar Covid-19.

“Mendova se në një kohë si kjo, shkencëtarët më të mirë në botë duhet të pajisen me burime dhe mundësi për të luftuar pandeminë, me ilaçe të reja, vaksina të reja, mjete të reja diagnostikuese, qasje të reja dinamike të sjelljes bazuar në shkencë, për të zëvendësuar intuitat e improvizuara shpesh të liderëve politikë,”- tha ai.

Por Këshilli Shkencor i ERC-së, organi i tij drejtues, njëzëri e hodhi poshtë idenë, tha ai, me arsyetimin se kompetenca e tij i lejon vetëm të financojë studimin “nga poshtë-lart” të propozuar nga shkencëtarët, sesa programe më të mëdha “nga lart-poshtë” me objektiva të vendosur nga liderët e BE-së.

“Unë argumentova se nuk ishte koha që qeverisja shkencore të shqetësohej shumë për hollësitë e dallimeve midis kërkimit nga poshtë-lart kundrejt kërkimit nga lart-poshtë”, tha Prof Ferrari, i cili kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij si studiues i shquar i kancerit në SHBA.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *