Kryedemokrati, Lulzim Basha, edhe një herë ngriti shqetësimin se fondet e qeverisë për ekonominë dhe shtresat në nevojë nuk mbulojnë dot nevojën e krizës së shkaktuar nga koronavirusi.
Basha gjithashtu i quajti të drejta shqetësimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Kreu i PD-së ka kërkuar që fondet e përcaktuara të buxhetit për PPP-të të shkojnë në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike.
“Shqetësimet dhe propozimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë janë të drejta. I kam kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin nga vështirësitë e shkaktuara prej pandemisë.
Qeveria shqiptare duhet të RIALOKOJË fondet e vendosura në buxhet për PPP-të, nga shpenzimet operative si edhe nga investimet publike dhe ti vërë ato në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike.
Fondet e shpallura nga qeveria prej 50 milionë euro në total për 3 muaj, për shtresat në nevojë, pagat e biznesit të vogël dhe pagesën e papunësisë, NUK i mbulojnë nevojat e krizës.
Pas shëndetit, ekonomia duhet të jetë prioritet absolut i qeverisë. Shqipëria ka nevojë për masa gjithpërfshirëse dhe jo fjalë. Koha është tani, sepse çdo vonesë do kushtojë shtrenjtë”-shkruan kryedemokrati.