Vendosni fjalën kyçe....

Doli natën me maskë e doreza për t’i takuar, Basha: Të shpërblehen efektivët që janë në krye të detyrës


Mbrëmjen e kaluar, kryedemokrati Lulzim Basha doli me maskë e me doreza në rrugë për të takuar punonjësit e policisë, të cilët janë në krye të detyrës në këto ditë të vështira ku vendi është mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit.

E sot, Basha  i ka bërë thirrje qeverisë që të shpërblejë financiarisht punonjësit e policisë.

Ai shkruan se pas personelit shëndetësor, janë pikërisht policët ata të cilët janë në vijën e parë të rrezikut dhe qëndrojnë në punë orar pa orar.

“Mbështes plotësisht kërkesën e drejtë të Sindikatës së Policisë për shpërblim suplementar për punonjësit e policisë.

Ashtu si çdo qytetar i këtij vendi jam dëshmitar për kushtet e vështira në të cilat ata po punojnë. Pas personelit shëndetësor, punonjësit e policisë janë në vijën e parë dhe ndër më të ekspozuarit ndaj rrezikut. Ata janë në shërbim me dhe pa orar në të gjithë vendin.

I bëj thirrje qeverisë që të gjejë mundësinë për të akorduar shpërblim financiar për punonjësit e policisë në krye të detyrës, dhe u kërkoj qytetarëve bashkëpunim të plotë dhe mirëkuptim e mbështetje për punonjësit e policisë në mënyrë që bashkarisht dhe duke u mbështetur tek njeri-tjetri ta tejkalojmë këtë situatë me sa më pak dhimbje”, shkruan Basha.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *