Edhe pse ishte caktuar për sot, Gjykata e Posaçme Apelit e ka shtyrë seancën gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.
Shkak për këtë është bërë fakti se as avokatët dhe as prokurorët nuk kanë qenë të pranishëm, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit. Seanca e radhës e cila do të jetë dhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Vlorës, Jaed Çela, është caktuar më 28 prill.
Kujtojmë se vitin e kaluar, ish-ministri Saimir Tahiri u dënua për shpërdorim detyre me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove. Por Prokuroria e apeloi çështjen pasi kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.
Po ashtu edhe Tahiri e apeloi pasi pretendonte pafajësinë edhe për akuzën për “shpërdorim detyre”.