Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka treguar se është shëruar plotësisht nga koronavirusi një tjetër infermier në Tiranë.
Në një postim në Facebook, Manastirliu thotë se numri i bluzave të bardha që kanë mundur koronavirusin ka shkuar në 28.
Duke llogaritur edhe qytetarët e tjerë, kjo e çon në 165 numrin total të personave të shëruar në vendin tonë.
“Çdo personel i sistemit shëndetësor që e fiton betejën e tij me #COVID19 është një lajm që më gëzon pa masë!
Edhe 1 infermier në Tiranë është shëruar pas testit konfirmues në laboratorin e virologjisë në ISHP.
Shkon në 28 numri i personelit mjekësor të shëruar nga COVID-19.
Deri tani janë 165 pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me #COVID-19#FORCA”- shkruan Manastirliu.
Kujtojmë se numri i të infektuarve me koronavirus në vend sot ka shkuar në 409, me 9 raste të reja të regjistruara në 24 orët e fundit. Kjo do të thotë se ka rënë përsëri kurba e rritjes së pandemisë, pasi të mërkurën pati 17 raste të reja.