Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria dhe talibanët lirime të ndërsjella të burgosurish


Këshilli Afgan i Sigurisë Kombëtare ka njoftuar se qeveria e Afganistanit i ka liruar 100 të burgosur talibanë. Lirimi i tyre u bë të shtunën.

Ky këshill tha se kritere për përzgjedhjen e të burgosurve që do të liroheshin ishin gjendja shëndetësore, mosha dhe pjesa e dënimit të mbetur.

Vetëm gjatë kësaj jave, qeveria afgane i ka liruar gjithsej 300 të burgosur talibanë si pjesë e marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, një zëdhënës i talibanëve tha se grupi militant do t’i lirojë 20 të burgosur afganë dhe do t’ia dorëzojë ata Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kandahar.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve më 29 shkurt në Katar, qeveria afgane duhet t’i lirojë nga burgjet 5 mijë luftëtarë talibanë si masë për ndërtimin e besimit para bisedimeve për arritjen përfundimtare të paqes.

Talibanët, në anën tjetër, janë zotuar se do t’i lirojnë nga burgjet një mijë trupa qeveritare afgane dhe punëtorë civilë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *