Diana ka një biznes ambulant në qytetin e Durrësit. Ajo e ka mbyllur aktivitetin që kur filluan kufizimet për të parandaluar përhapjen e infeksionit të Covid-19. Ndonëse tentoi disa herë të dilte të shiste, policia nuk e lejonte.
Si të gjithë, Diana aplikoi për të përfituar nga ndihma financiare për të punësuarit/vetëpunësuarit në biznesin e vogël, në bazë të VKM nr.254 datë 27.03.2020 “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë, ndihmës ekonomike e të pagesës të së ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19”.
Por, përgjigja që i erdhi ishte refuzim, me argumentin se aktiviteti lejohet të funksionojë. “Nuk kam punuar asnjë ditë, se nuk më lejon policia”, pohoi ajo. Diana është e vetëpunësuar dhe nuk ka burim tjetër të të ardhurave.
Të njëjtën pergjigje ka marrë dhe Sokoli, që ka një dyqan të vogël tregtimi, ku sërish Policia nuk e ka lejuar të punojë. Kjo është goditja e dytë për të, pas dëmeve që i shkaktoi në mall tërmeti i 26 nëntorit, Ku Durrësi ishte ndër zonat me dëme më të mëdha.
Durrësi rezulton qarku me refuzimet më të larta nga tatimet për dhënien e ndihmës financiare. Sipas të dhënave zyrtare të detajuara nga tatimet, të përditësuara deri në datën 9 prill, nga rreth 4 mijë aplikime nga të punësuarit/vetëpunësuarit, të cilat janë verifikuar për qytetin bregdetar, 51% e tyre janë refuzuar. Kjo është më e lartë se norma e refuzimit në shkallë vendi prej 42%.
Nivei më i lartë i aplikimeve të verifikuara që janë miratuar ka qenë në Sarandë, me 71% të rasteve që do ta marrin ndihmën financiare, të ndjekura nga Korça dhe Elbasani me 64%. Edhe në Tiranë, 60% e aplikimeve për ndohmë financiare janë miratuar.
Krahas Durrësit, nivel të lartë refuzimi ka dhe Lezha, me 51% të rasteve.
Arsyet e refuzimeve dhe shpresa te paketa e dytë
Tatimet bënë te ditur se nga 38 mijë aplikime që ata kanë shqyrtuar deri nw 9 prill, rreth 42% e tyre janë refuzuar.
Por, pse kjo normë kaq e lartë refuzimi:
-Së pari, që në fillim jo të gjithë të punësuarit e bizneseve të vogla ishin përfituese, por vetëm ata që ishin në listën e aktiviteteve të mbyllura sipas një vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë së datës 20 mars.
Vetëm bizneset e kësaj listë përfitonin, ndërsa të tjerat, ndonëse mund të ishin të mbyllura nuk mund të merrnin pagën minimale. Në total nga 176 mijë të punësuar, vetëm 60 mijë ishin në listën e bizneseve me aktivitete të mbyllura, ndaj vetëm një e treta është parashikuar të përfitojë.
Kryeministri Rama ka deklaruar dje se në paketën e dytë financiare, do të përfshihen dhe të punësuar në biznese që nuk janë mbyllur me vendim, si agjenci turistike, rrobaqepēsi e mobileri të vogla, hidraulikë, elektriçistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të liçencuar, etj., përfshirë edhe shoferët e taksive e të linjave të transportit urban e punonjësit e tyre. Kjo paketë pritet të kompensojë ata të punësuar që nuk janë në listën e aktiviteteve të mbyllura, me një pagesë prej 40 mijë lekësh. (të punësuarit në listën e akttiviteteve të mbyllura do përfitojnë 26 mijë lekë/muaj, për tre muaj). “100 mijë punonjës në biznese të vogla që kanë punuar, por me xhiro minimale dhe nuk kanë përfituar nga paketa e parë do të marrin 40 mijë lekë”, tha Rama.
Kjo bën që pothuajse të gjithë të ppunësuait e bizneseve të vogla të kompensohen, me pak përjashtime si psh profesionet e lira, rreth 8 mijë, të cilat sipas ministrit Ahmetaj nuk do të pêrfitojnë nga ndihma financiare.
“Noterët, avokatët, mjekët, farmacistët, arkitektët, inxhinierët, agronomët, vlerësues pasurish të paluajtshme, laborantë dentarë, ekonomiste, ekspertet kontabel, laborantet, janë të përjashtuar nga kjo paketë, sepse këta praktikisht në natyrën e punës nuk janë tek qytetarët në nevojë”, tha Ahmetaj
-Së dyti, ka pasur refuzime dhe në listën e aktiviteteve të mbyllura, për shkak të paqartësisë së objektit të veprimtarisë në ekstraktin në Qendrën Kombëtare të Biznesit, siç ishte rasti i lokalit në fjalë. Tatimet kanë vënë në dispozicion numrat e ankesave sipas rajoneve për çdo person të refuzuar.
Kontabilistët pohojnë se ka pasur raste trajtimi të dyfishta, kur p.sh. në katër dyqane veshjesh me të njëjtat kushte, njëri u refuzua. Në një rast tjetër, nuk ka përfituar pasi administratori është i dypunesuar administratori, kur ndërkohë punonjësit nuk janë të dypunësuar.
-Së treti, vendimi parashikon si kriter deklarimin e xhiros për 2019, duke përjashtuar automatikisht bizneset e hapura në 2020-s. Tatimet kanë pohuar se po punojnë për ta zgjidhur këtë, në mënyrë që të përfshihen dhe bizneset e hapura në 2020, që plotësojnë kriteret si subjekt i vogël.
-Së katërti, individët që rezultojnë të dypunësuar, sipas ndryshimeve të fundit përfitojnë vetëm një herë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al