Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Facebook, për rreth 60 minuta, kryeministri Rama tha se shumë shpejt do ketë një përgjigje konkrete se kur do nis lëvizja nga Shqipëria drejt vendeve të tjera.
Ai shtoi se emigrantëve shqiptarë që u ka kaluar afati i qëndrimit në Greqi nuk do penalizohen nga vendi fqinj.
“Shumë shpejt do të kemi një përgjigje konkrete se kur do të nisë lëvizja nga Shqipëri për jashtë vendit. Po punojmë dhe besoj që paketa do të jetë e arsyeshme, dhe duhet të kuptohemi. E kam rithënë disa herë, që për ata që janë bllokuar në Greqi dhe që kanë shkelur afatet, s’do të ketë gjobë. E kemi biseduar me qeverinë greke. Dhe s’kanë vënë gjoba. Deri tani ka mirëkuptim.” – tha ai.
Kryeministri tha më tej se ata që përfitojnë pagën prej 400 mijë lekësh përfshijnë një kategori të zgjeruar të shtresave të popullsisë duke përfshirë punonjësit e call center-ave, faturinot e shoferët e urbanëve, shitësit e dyqaneve, duke theksuar se të hollat do kalojnë direkt në llogaritë bankare të punonjësve.
“126 mijë familje që do marrin 400 mijë lekë. Direkt në llogarinë e tyre. Pa kaluar nga pronari. Do të hapet faqja e aplikimit dhe do konfirmoni se jeni punonjës në X call-center. Unë rrogën time e marr përgjysmë. Ministrat e marrin rrogën përgjysmë, deputetët e PS e marrin përgjysmë, për solidaritet. Ata që janë punonjës transporti në biznesin e madh, do të marrin të gjithë nga 400 mijë lekë, pa dallim.” – tha Rama.
Në fund kryeministri tha se baret e restorantet do jenë të fundit që hapen.