Vendosni fjalën kyçe....

Presidenca zbardh disa nga diskutimet në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare


Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta u zhvillua sot, nëpërmjet një video-konference, mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare lidhur me situatën që po kalon vendi nga përhapja e pandemisë globale COVID-19.

Në këtë mbledhje morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Kryeministri Rama dhe ministrat përgjegjës informuan për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës.

Kryetari i Kuvendit Ruçi shprehu angazhimin për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.

Kryetari i Partisë Demokratike Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *