Mbretëresha Elizabeth II e Britanisë ka kërkuar që të mos organizohen përshëndetje me armë për të festuar ditëlindjen e saj të martën. Kështu është shprehur reporteri i ITV-së, Chris Ship.
Ai ka shkruar në Twitter, se kjo do të ishte hera e parë që mbretëresha bën një kërkesë të tillë gjatë mbretërimit të saj 68-vjeçar.
“Madhëria e saj ka kërkuar që të mos ketë masa speciale për të lejuar përshëndetjet me armë, pasi ajo nuk e ndjen këtë të përshtatshme në rrethanat aktuale.”-shkruan gazetari duke iu referuar burimeve nga Pallati Mbretëror.
Mbretëresha do të mbushë të martën 94 vjeç, por siç shkruan Reuters, dita do të kalojë e qetë, me më pak njerëz rreth saj se zakonisht, pasi ajo është në izolim për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Në fakt mbretëresha Elisabeth feston dy ditëlindje, ditëlindjen e saj të vërtetë që e ka me 21 prill dhe ditëlindjen zyrtare të shtunën e dytë të qershorit.
Një nga pjesët më të rëndësishme të festimit të ditëlindjes së mbretëreshës është një seri përshëndetjesh me armë që organizohet në tre vende, në Hyde Park, në kullën e Londrës si dhe e treta pranë shtëpisë së saj në Windsdor.