Një nga vajzat e lordit të drogës meksikane Joaquín “El Chapo” Guzmán, po punon së bashku me kartelet për të ndihmuar në krizën e krijuar nga koronavirusi në Guadalajara.
Alejandrina shfaqet në një video duke ndihmuar në paketimin e pakove me ndihma, ku përfshihen letrat higjienike, oriz, sheqer, vaj, dhe ushqime e produkte të tjera esenciale.
Sipas një raporti të Reuters, Alejandrina po shpërndante ndihmat përmes kompanisë së saj të quajtur “El Chapo 701”. Në video, ata që ndihmojnë shihen të veshur me bluzat “701”. Ata mbajnë maska për fytyrën dhe kuti të cilat kanë ngjitur një foto të El Chapo-s.
Guzmán vitin e kaluar u dënua me burgim të përjetshëm. Akuzat ndaj tij ishin për trafik lëndësh narkotike, dhe pjesëmarrje në një komplot të pastrimit të parave.
“Ne po punojmë dhe po kontribuojmë. Një kënaqësi e madhe të vizitojmë shtëpitë tuaja dhe t’ju japim këto ndihma të El Chapo-s”- shkruhet në një postim në faqen e kompanisë së Alejandrina-s.
Reuters vuri në dukje se kartelet, të cilët janë përgjegjëse për vrasjet brutale në të gjithë vendin “kanë një histori të përpjekjeve për të fituar zemrat dhe mendjet e komuniteteve të varfëra, ku veprojnë”. Sipas Reuters, anëtarët e tjerë aktivë të kartelit gjithashtu kanë dhënë ndihmë gjatë pandemisë. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe karteli Jalisco New Generation dhe Gulf Cartel.