Të enjten e 16 prillit, rreth orës 09:30 dhjetë qytetarë të Tiranës po mbanin radhën para hyrjes së një dege bankare te “Komuna e Parisit”.
Me distancën 1.5 metër nuk abuzonte njeri.
Radha sa vinte e shtohej, ndërsa disa prej të rinjve mbërritën pa doreza dhe maska. Urdhri ishte i prerë: askush nuk mund të merrte shërbim në bankë pa u pajisur me të dyja!
Zgjidhja e vetme ishte të hynin në farmacinë afër, teksa bënë gati 10 mijë lekëshat e vjetër për të blerë maska e doreza.
Bezdisja e sikleti ju dukej hapur sepse ju duhej të shpenzonin por tik-taku i orës së lejës po trokiste e duhet të vendosnin shpejt.
Pak minuta më pas, disa kilometra larg, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë u mblodhën për ashpërsimin e masave ndaj shqiptarëve një grup deputetësh shqiptarë.
Deputetët, me paga më të mëdha se qytetarët që mbanin radhën në bankë, nuk e patën detyrimin që të shpenzonin. Për ta kishte menduar kuvendi.
Me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Nga 10-15 mijë lekë të vjetra për deputet na ka kushtuar maska dhe larja e duarve të tyre po të llogarisësh me përafërsi, në mungesë të specifikimit të çmimit, koston e 500 higjenizuesve dhe 360 maskave. Operacioni është kryer në dy tendera paralelë, të cilat shihen po të klikohet Linku.
Blerja e shpejtë ka kushtuar rreth 6 milionë lekë të vjetra, një nga blerjet më të vogla të kryera ndonjëherë por çështja kthehet në një dilemë etike:
A duhet të pranojë një deputet shqiptar të blejë maskën dhe xhelin me “aloe vera” me paratë e taksapaguesve kur taksapaguesit mjetet e tyre mbrojtëse i blejnë vetë?
Pamjet e mbledhjes së jashtëzakonshme të tyre më 16 prill treguan se maskat dhe dorezat e një pjese që i përdorën ishin të ndryshme, ndërsa nuk dihet nëse i kanë përdorur apo jo higjenizuesit e duarve, edhe pse institucioni ligjvënës mendoi që ta.
Mbetet e paqartë sa është numri i mjeteve mbrojtëse që do përdoren nga punonjësit e parlamentit por fakti qëndron: dy tenderat u zhvilluan një ditë para mbledhjes urgjente të deputetëve, në asnjërën prej ditëve të mëparshme të izolimit. Kuvendi ka zhvilluar më parë edhe 7 TENDERA të tjerë të ngjashëm, rreth 20 milionë lekë të vjetra.
Tenderat e mbyllura një ditë para nisjes së mbledhjes së deputetëve bien ndesh me jehonën e vendimeve të kryeministrit Edi Rama, i cili u përgjysmoi pagën deputetëve për shkak të pandemisë. Puna e Kuvendit u pezullua më 11 mars. /V.Gogo