Shkon në 634 numri i personave të prekur me koronavirus në vend, me 25 raste të reja të konfirmuara në 24 orët e fundit.
Ky është rezultati pas 252 testimeve që janë realizuar dje. Rastet e reja siç shihet edhe në hartën e ilustruar më poshtë janë në Krujë, Tiranë, Elbasan, Shkodër, Kurbin.
Rritja ditore paraqitet më e lartë në Krujë me 18 raste të reja pozitive.
Ndërkohë është shënuar dhe viktima e 27 në vend. Bëhet fjalë për një pacient 71-vjeçar i cili ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Prej dy javësh ai ishte i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese si (diabetik, kardiopat, ç’rregullime të ritmit kardiak dhe fibrilacion atrial).
Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 356.
Po ashtu ajo tregoi se janë 5 zona ku të gjithë personat që kanë qenë konfirmuar deri më tani me koronavirus, janë shëruar.
“Rezulton se Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar”- tha zv.ministrja Rakacolli.
Sipas këtyre të dhënave, aktualisht në vendin tonë janë 251 persona të infektuar aktivë, çfarë do të thotë se numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të prekurve aktivë.