Deputeti Halit Valteri u nervozua në seancën e sotme plenare, dhe u ankua se deputetëve të opozitës nuk u është dhënë mjaftueshëm kohë për të folur.
Ai madje paralajmëroi se opozita e re mund të lërë Kuvendin dhe të djegë mandatet, ashtu sikur bënë deputetët e PD-së dhe të LSI-së, pasi ata vetëm fjalën kanë në dorë dhe ajo po u mohohet.
“ Për çfarë duhet të flasë 95 minuta maxhoranca. Çfarë ka për të mbrotjur? Tenderat sekretë që bëni në 12 të natës? Për çfarë ne kemi vetëm 20 minuta kohë? Për çfarë ti the 25, se 15 minuta ka opozita këtu! Ju lutem shqyrtojeni, ne vetëm fjalën kemi.
E di zoti Balla se u shqetësua, ç’lidhje ka procedura këtu. Por ç’procedurë duhet të ndjekim. Ne kemi vetëm fjalën në këtë Parlament, as nuk ju ndalim dot, se i ke blerë 15 deputetë këtu, që votojnë siç i do kokrra e qejfit këtij. Jau çon me Whattsapp dhe ngre atë kartonin këtu pro gjithë kohës, ne kërkojmë vetëm minutat për të folur këtu. Në Komision i kaloni ligjet siç doni ju, me kuorum, pa kuorum, me procedurë të përshpjetuar, me procedurë të papërshpejtuar.
Ose na thoni të ikim nga ky Parlament e të rrimë atje ku kanë dalë edhe ata të parët, por menduam të bëjmë diçka ndryshe këtu, e jo të jemi vegla e këtyre 10 njerëzve këtu që nuk kanë as karakter, e as dinjitet për rob, se e kam marrë këtë mandat për t’u shërbyer njerëzve e jo për t’u bërë vegla të maxhorancës e Taulant Ballës. Faleminderit!” – tha Valteri.