Ministria e Shëndetësisë sapo ka bërë përditësimin e të dhënave të lidhura me pandeminë e COVID-19 në vend.
Numri i të infektuarve ka shkuar në 750, ndërsa është shënuar dhe viktima e 30-të në vend. Bëhet fjalë për një pacient 52-vjeçar nga Kruja, me inicialet S. B i cili ka qëndruar për 8 ditë në reanimacion i intubuar në spitalin infektiv.
Mbrëmë ndërroi jetë dhe një 73-vjeçar me inicialet H.K., nga Durrësi ishte prej thuajse 1 muaji në gjendje të rëndë, me Insuficience respiratore akute.
Siç shihet edhe në hartën e ilustruar më poshtë, rastet e reja të konfirmuara sot janë në Tiranë (7), në Krujë (5) dhe dy në Shkodër.
Ndërkohë, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar sot listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve në 431. Katër qytetet në të cilat janë shëruar të gjithë pacientët e infektuar, janë Tropoja, Lezha, Rrogozhina dhe Mallakastra.
Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, tha se në dy spitalet COVID aktualisht po trajtohen 32 pacientë.
Në shërbimin infektiv janë 27 të shtruar, 3 prej të cilëve në terapi intensive. Ndërkohë që në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. Fico tha se 2 prej tyre janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar.