Kryeministri në Detyrë i Kosovës Albin Kurti, në emisionin “Ilva Now” në Euro News Albania deklaroi se homologu i tij në Tiranë, Edi Rama nuk i ka kthyer përgjigje në letrën për një takim mes tyre për situatën e shkaktuar nga koronavirusi.
Sipas Kurtit, ai kërkoi që të organizohej një takim mes tyre Ruçit, Metës, Osmanit dhe Thaçit.
“Nuk kanë heshtur të gjithë. A nuk duhej të pyesni ata pse kanë heshtur? Thyeja njëherë atyre heshtjen dhe pastaj po flas për atë që ata thonë. Le të flasin njëherë ata, jemi dy shtete të një kombi apo jo?
Gjatë pandemisë ministritë e Shëndetësisë kanë komunikuar dhe kanë shkëmbyer përvoja dhe materiale. Diku nga mesi i muajit mars i kam shkruar kryeministrit Rama dhe i kam thënë që duke qenë se nuk po mund ta bëjmë dot takimin e dy qeverive, i kam thënë që të mbajmë një takim Rama-Meta-Ruçi dhe unë, Osmani dhe Thaçi. Për të diskutuar për pandeminë, por nuk mora përgjigje asnjëherë për këtë gjë”- deklaroi Albin Kurti.