Vendosni fjalën kyçe....

Nga Pandemi në Tirani


Blog-Autor: Anita Doçi

Qytetarët e papunësuar në “arrest shtëpie” të Republikës së Shqipërisë po fillojnë të pyesin veten: Deklaratat e politikanëve dhe mediave për vazhdimin e vënies së masave drakoniane, a kanë shkaktuar lënien e lirisë së tyre në hije?

Ndonjëri këtë pyetje të ngritur mund ta cilësojë si çështje të pashpirt ndërkohë që në botë njerëz po infektohen dhe po vdesin.

Por nëse nuk ngremë një çështje të tillë tani, mos ndoshta më pas do të jetë tepër vonë? Historia është e mbushur me momente të tilla që bëhen fole tiranie, dhe padyshim mund të thuhet se këto lloj tiranish të ngritura në raste paniku, më pas e bëjnë të vështirë kalimin e pragut për të ngritur pyetje.

Nëse tirania duket një ngjarje e largët, konsideroni se ligjvënësi në emër të luftës kundër armikut të padukshëm, vendosi që të sakrifikojë liri civile, ekonomike e sociale. Po kundër një “armiku të dukshëm” sa liri do të sakrifikojë ligjvënësi?

Në shoqëritë demokratike, ligjet vendosen për të ndihmuar qytetarin dhe për të mbrojtur jetën e tij. Ligjvënësi kur miraton një ligj, duhet që patjetër të ketë parësor interesin e marrëdhënieve shoqërore të qytetarit të tij.

Kur një qeveri vihet përballë një kërcënimi të tillë si Covid-19, çdo masë që ajo duhet të marrë duhet të jetë e mirëmenduar dhe e analizuar. Të tregohet e aftë për të përgatitur një plan shëndetësor, social dhe ekonomik  të bazuar në praktika dhe precedent të situatave të ngjashme nga shtete me logjikë bashkëkohore.

Si veproi qeveria Shqiptare?

Fillojmë nga ekspertët e saj të cilët e teprojnë me deklarimet e tyre, në lidhje me parashikimet se kur ky virus do ketë pikun apo kur do të zhduket, apo me premtimin që u dha në mars që për 20 ditë do të fillohej ndërtimi i një spitali të ri në kuadër të situatës alarmante.

Kur gjithë bota këshillonte domosdoshmërinë e vendosjes së maskave, qeveria shqiptare lejonte hedhjen në treg të maskave të skaduara;  ndërsa përsa i përket paketave ekonomike që supozohej që duhet të ndihmonin pjesën më të prekur nga pandemia, përkundrazi, shumica e këtyre shtresave janë përjashtuar nga përfitimi.

(Shembull: numri i bizneseve të vogla, ka qenë diku te 90 mijë, me rreth 225 mijë të punësuar, por që janë miratuar vetëm 60 mijë, ndërsa me letra vetëm 50 mijë të punësuar, pra gati 1/6.)

Një mesazh tjetër që dha kreu i qeverisë ishte ndaj shtetasve shqiptarë që kishin ngelur jashtë kufijve apo në zonat neutrale, që ata të mos tentonin të ktheheshin në atdheun e tyre. Madje dhe ajo pjesë e vogël që mundi të kthehej, pasi qëndroi me ditë të tëra pa bukë dhe pa strehë, totalisht e neglizhuar nga shteti, duhej të paguante 14 ditët e karantinimit në hotel nga të ardhurat e veta.

Për të mos lënë pa përmendur më të rëndësishmen, shmangien nga testimi i popullsisë duke fshehur kështu numrat real të të infektuarve.

Këta tregues të dështimit të qeverisë në përballimin e situatës, janë faktorë që dëshmojnë që vëmendja e qeverisë Rama është përqëndruar diku tjetër, tek absorbimi çdo ditë e më shumë i të drejtave dhe lirive të shqiptarëve dhe tek shtrirja e tentakulave të tij të pushtetit, duke justifikuar propagandën në emër të “armikut të popullit”.

Por a mund të justifikohet cënimi i lirisë dhe Kushtetutës, apo tërheqja e Shqipërisë nga neni 8 dhe 11 i Konventës Europiane?

Cënimi i thelbit të të drejtave dhe lirive, të tilla si e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, banesës, pronës; lirisë për t’u përfshirë në sindikata; të drejtës për arsim dhe lirisë së lëvizjes (për të përmendur disa), është bërë pa pasur kriter proporcionalitetin me gjendjen e krijuar dhe cënon thelbin e lirive dhe të drejtave të subjektit kryesor të kësaj çështje, të qytetarit.

Amendamentet në Kodin Penal janë të papërshtatshme me statistikat e ulta të numrit të të infektuarve në Shqipëri, kështu ato janë të panevojshme dhe cënojnë parimin e humanizmit me represivitetin e tyre.

Për 51 viktimat e 26 nëntorit, nuk ka ende një të dënuar penalisht për korrupsionin me lejet e ndërtimit, ndërtimin jashtë perimetrave dhe standarteve, por për një person që ndoshta mund të mos ketë dijeni që është mbartës i virusit dhe nga pakujdesia ia transmeton tjetrit, ai dënohet me 8 vite burg.

Pa përmendur pakushtetueshmërinë në procedurën e përshpejtuar të kalimit të ndryshimeve dhe mungesës së shumicës së cilësuar për miratimin e tyre (neni 81/2; 83/3 i Kushtetutës).

Një situatë e tillë është e paprecendentë në përballjen e shteteve me virusin. Patjetër që këto shtete kanë vendosur masa kufizuese apo dhe sanksione të tilla si gjoba, por jo në këtë tejkalim mase, përveç rastit të Kinës komuniste dhe Shqipërisë.

Vetëm qeveritë me mendësi të dobët, përdorin aparatin ligjvënës, gjyqësor dhe policor që të ndjekin ndëshkime “shembulldhënëse”, që pretendojnë që shoqëria nuk merr vesh ndryshe dhe nuk ka aq ndërgjegje për të kuptuar vetë veprimin e gabuar me pasojat e tij dhe vendosin ndëshkime të rrepta për të kompensuar dobësinë e saj.

Virusi ka krijuar një situatë konfuzioni që sjell frikë, padrejtësi shoqërore dhe ndjenjë pasigurie, që krijojnë terren të favorshëm për demagogji autoritare populiste, shfrytëzohen nga “njeriu i fortë, me dorë të hekurt në politikë” duke kontrolluar gati çdo sektor të jetës së qytetarëve.

Ne duhet të luftojmë virusin dhe patjetër që të marrim masa. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se veprimet e sotme të nxitura nga frika mund të kthehen në gabime të pakthyeshme të së nesërmes.

Ne duhet të guxojmë të ngremë pyetje nëse mënyra e zgjedhur është mënyra më e duhur dhe kurrë nuk duhet të dorëzojmë liritë tona pa konsideruar pasojat ligjore, morale, kulturore dhe psikologjike.

Çfarë tragjedie do të ishte nëse ne do t’i mbijetonim virusit, që në një të ardhme të jetonim pa gjënë më të shtrenjtë, lirinë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *