Mjekët dhe infermierët shqiptarë të cilët u dërguan nga qeveria të ndihmonin në spitalet në Itali, e kanë mbyllur në mënyrë aspak dinjitoze misionin e tyre.
Corriere Della Serra shkruan se ekipi shqiptar, një ditë para kthimit në atdhe janë mbledhur për të festuar duke pirë birra dhe duke dëgjuar muzikë me zë të lartë në dhomën e hotelit ku po qëndronin në Brescia.
Kaq ka mjaftuar që pronari i hotelit ku ishte vendosur kontigjenti i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, të thërriste policinë.
Kështu sipas gazetës italiane, grupi i specialistëve shqiptarë, të cilët duhet të kthehen sot në Tiranë janë gjobitur deri në 500 euro secili, pas një muaji duke shërbyer në frontin e parë të luftës me koronavirusin në Itali.
“Sipas të dhënave të para duket se mbi 10 prej tyre janë mbledhur në një nga dhomat e hotelit për të festuar fundin e misionit dhe kthimin në atdhe. Një festë që në kohën e koronavirusit nuk mund dhe nuk duhej të mbahej, edhe kur bëhet fjalë për mjekë dhe infermierë që kanë ardhur në Iatli për të ndihmuar” – shkruan gazeta.
Përpos grumbullimit të paligjshëm, ndaj 2 prej tyre do të ngrihet edhe padi për rezistencë dhe kundërshtim të forcave të rendit.
“Ne duhet të sqarojmë se çfarë ndodhi mbrëmë dhe kushdo që ka përgjegjësi do të duhet të përgjigjet për të”– tha Gianpaolo Natali, këshilltar i partisë “Fratelli d’Italia” në Brescia.
Këtë mëngjes ai tha se do të merrej me ankesën e dhjetë personave nga ekipi shëndetësor shqiptar, të cilët ishin të befasuar nga ndërhyrja e policisë kur festuan fundin e misionit para se të niseshin për në Tiranë.
“Unë nuk do të hyj në meritat e ndërhyrjes policore, por këta njerëz mbërritën në Itali me urdhër të kryeministrit të tyre për të na ndihmuar në një nga momentet më të errëta me spitalet e tejmbushur nga Covid. Tani ata do të kthehen në Shqipëri me një padi për kundërshtim të forcave të policisë dhe nëntë gjoba prej 500 eurosh. Ne duam të kuptojmë se çfarë ndodhi në hotel mbrëmë dhe nëse ka përgjegjësi të atyre që kanë kryer operacionin. Në këtë sens, ne do të kërkojmë që çështja të diskutohet në parlament “.- tha Natali./Hashtag.al