Të paktën dhjetë anëtarë të grupit të mjekëve e infermierëve shqiptarë që u nisën në Itali para një muaji, në ndihmë të vendit fqinj, janë gjobitur nga policia italiane.
Siç raportojnë disa media kryesore të vendit fqinj, ata ishin mbledhur duke festuar në njërën prej dhomave të hotelit ku po qëndronin dhe po festonin me muzikë e pije alkoolike.
Kjo ka detyruar pronarin që të lajmërojë policinë, që me ardhjen në vendin e ngjarjes i ka gjobitur me nga 500 euro gjobë ndërsa dy prej tyre po hetohen për kundërshtim të forcave të rendit, raportojnë mediat kryesore italiane si dhe disa media rajonale.
Bëhet fjalë për grupin e parë prej 30 mjekësh e infermierësh shqiptarë të cilët u nisën në Itali në fund të muajit mars për të ndihmuar vendin fqinj të goditur nga pandemia Covid-19.
I njëti grup mjekësh e infermierësh, është dashur të zhvillojë një provim në spitalin e Breshias ditën që vajtën.
Kjo pasi sipas drejtorit të spitalit të Breshias, Gianmarco Trivelli, bëhej për të përcaktuar vendin ku do caktoheshin për të shërbyer sipas kualifikimeve respektive.
Si në këtë rast, ashtu edhe me festën e mjekëve e infermierëve shqiptarë në hotel e gjobat ndaj tyre, një gjë mund të thuhet, që ekipi i nisur nga Shqipëria për të ndihmuar, është pritur me lajm në Itali e po kështu po përcillet.
Si në rastin e parë, kur mediat italiane publikuan faktin që mjekëve e infermierëve shqiptarë do u bëhej provim për të verifikuar aftësitë e tyre për t’i shpërndarë më pas nëpër reparte të ndryshme, edhe në rastin e dytë, në festën e disave prej tyre në një dhomë hoteli, historia përsëritet.