Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA), ka autorizuar përdorimin e remdesivirit, ilaçit që përdoret për trajtimin e Ebola-s, si një kurë për trajtimin e koronavirusit.
Autorizimi nënkupton se ilaçi tani mund të përdoret për njerëzit që janë të shtruar në spital me simptoma të rënda të Covid-19.
Siç shkruan BBC, një provë e fundit klinike tregoi se ilaçi ndihmon në shkurtimin e kohës së rikuperimit për njerëzit që ishin të sëmurë rëndë.
Por ilaçi u miratua në procedurën e urgjencës, i cili nuk është i njëjtë me aprovimin zyrtar, që kërkon një nivel më të lartë shqyrtimi.
Çfarë dimë për remdesivir?
Presidenti Trump ka qenë një mbështetës i përdorimit të ilaçit remdesivir si një trajtim i mundshëm për koronavirusin.
Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) zbuloi gjatë një prove klinike, se remdesivir shkurtonte kohëzgjatjen e simptomave nga 15 ditë në 11. Për këtë testim u përfshinë 1.063 njerëz në spitalet në mbarë botën. Disave iu dha ilaçi remdesivir dhe të tjerëve iu dha një trajtim me qetësues.
Dr Anthony Fauci, i cili drejton NIAID, tha që remdesivir kishte “një efekt të qartë, domethënës, pozitiv në zvogëlimin e kohës së nevojshme për shërimin”.
Por studimet nuk dhanë ndonjë provë nëse ilaçi mund të parandalojë vdekjen nga koronavirusi.