Ditën e sotme, përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kanë depozituar zyrtarisht një kallëzim penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarit, Arbjan Mazniku.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe për korrupsion lidhur me çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
“Kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj shtetasit, Erion Veliaj në funksionin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për veprën penale ‘Shpërdorim i detyrës’ dhe korrupsion pasiv i personave që kryejnë funksione publike, kryer në bashkëpunim’
Fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit Arbjan Mazniku me funksion nënkryetar i Bashkisë së Tiranë për veprën penale ‘Shpërdorim i detyrës’ dhe ‘korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, kryer në bashkëpunim”. – thuhet në shkresën e dorëzuar në SPAK.
Aktivistët i kërkojnë SPAK-ut të hetojë ndryshimet që u bënë muajt e fundit rreth projektit të ndërtimit të teatrit të ri.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit beson se ka një marrëveshje mes bashkisë dhe palës private në kundërshtim nga ligji për t’u tërhequr nga ligji special dhe VKM-ja, për t’i sjellë buxhetit të shtetit një precedent të rrezikshëm.
Kujtojmë se bashkia para pak muajsh u tërhoq nga projekti që kishte me kompaninë “Fusha SHPK”, duke deklaruar se do ta ndërtonte teatrin e ri me investime publike.
Por artistët e aktivistët pretendojnë se ligji special i hartuar për të përkrahur këtë projekt, parashikonte tërheqje nga projekti vetëm për privatin. Nëse kjo do të ndodhte, sipas ligjit do duhej të mbahej 2 përqindëshi i garancisë së kostos së projektit dhe të rihapej konkurrimi.
Aktivistët dyshojnë se nëse rezulton se Bashkia është tërhequr njëanësisht nga projekti dhe privati do ta hedhë në gjyq ndërkombëtar, bashkia do t’i shkaktojë shtetit një dëm prej afro 300 milionë eurosh.