Kreu i PD-së, Basha, dha një deklaratë për mediat pas takimit me përfaqësues të Shoqatës së Biznesit të Vogël.
Ai theksoi se qeveria po i shtyn ato drejt falimentimit duke çuar në humbjen e punës për qindra mijëra të vetëpunësuar.
Basha tha gjithashtu se qeveria ka marrë masa kuturu dhe nuk po e ndihmon biznesin e vogël që po përballet me një krizë të thellë për shkak të pandemisë Covid-19. Basha tha se taksat e biznesit po shkon për oligarkët në vend se të shkojnë aty ku duhet.
“Fatura aforfe e energjisë e cila shkon me vlerën e marsit të vitit të kaluar tek biznese që kanë 6 javë që kanë ulur qepenat. Pra, në vend që të ndihmohen siç po i ndihmon çdo vend tjetër i rajonit, mos të flasim për Europën, siç po e ndihmon Kosova, siç po e ndihmon Maqedonia e Veriut, biznesi i vogël shqiptar po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme që janë të shkaktuara nga mungesa totale e mbështetjes nga kjo qeveri. Ndërkohë paratë e taksave të shqiptarëve vazhdojnë të shkojnë për oligarkët. Paratë e taksave të shqiptarëve shkojnë kudo përveçse aty ku ka më shumë se nevojë se kurrë shqiptarët sot, tek njerëzit në nevojë, tek biznesi i vogël, tek mbështetja tek ata që po humbin vendet e punës. Situata është dramatike.” – u shpreh kreu i PD.
Basha tha më tej se biznesi nuk ndihmohet me shfaqje televizive e propagandë ndërsa kriza e biznesit të vogël do të thotë krizë ekonomike për mbarë vendin. Sipas Bashës, pandemia e radhës do jetë në ekonomi dhe autori i saj do jetë kryeministri Rama.
“Me propagandë, me shfaqje televizive dhe me mashtrime, biznesi jo vetëm nuk po ndihmohet, por po zhytet gjithmonë e më thellë. Zhytja e biznesit të vogël në këtë situatë është parathënie e krizës ekonomike. Ndaj, e gjithë vëmendja jonë dhe e gjithë energjia jonë duhet të jetë tek pandemia ekonomike, që po i zë vendin pandemisë COVID 19. Është pandemia ekonomia 2020, që ka një autor dhe një shkaktar, këtë qeveri dhe këtë kryeministër, që e kanë braktisur biznesin në ditën e vetë më të vështirë. Taksat ua kanë marrë për vite me radhë, taksat ua kanë rritur, faturat ua kanë rritur për vite me radhë. Tani që kanë nevojë për paratë e tyre, nuk po kërkojnë lëmoshë, asnjë nga ato dhjetëra mijëra biznese që nuk kanë parë asnjë qindarkë, megjithëse u është premtuar mbështetje, nuk kërkon lëmoshë, kërkon që të mbështetet nga taksat, sepse qeveria prandaj ekziston. Taksat që merr nga qytetarët, t’i përdorë për qytetarët. Sot, taksat që ka marrë nga biznesi i vogël, taksat që ka marrë nga të gjithë qytetarët, përfundojnë kudo, përveçse tek ata që kanë nevojë. Ose më mirë të themi, përfundojnë tek një grusht njerëzish, tek një grusht oligarkësh me të cilët, kjo qeveri vazhdon të ndajë favore, tendera korruptivë dhe pasuritë e vendit.” -u shpreh Basha.