Aleanca për mbrojtjen e Teatrit i ka bërë thirrje avokates së Popullit, Erinda Ballanca, që të reagojë lidhur me shoqërimet e dhunshme që iu bënë sot protestuesve në ‘Sheshin Skënderbej’.
Ende nga policia nuk ka një konfirmim të numrit të shoqëruarve, por sipas aktivistëve bëhet fjalë për 14 persona. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit thotë se protestuesve u është mohuar ndihma shëndetësore dhe se ata nuk po lejohen as të flasin me avokatët e tyre.
“Thirrje publike Avokatit të Popullit Erinda Ballanca: Dërgo urgjent komisionerët në Komisariatin e Policisë nr. 1 në Tiranë! 14 qytetarë janë mbyllur në një qeli. Policia u ka marrë maskat. Nuk lejohet kontakti me avokatin. Nuk u jepet ndihma mjekësore!”, thuhet në njoftim.
Mesditën e sotme, policia i tërhoqi zvarrë aktivistët të cilët ishin mbledhur nën moton “Jo diktaturës”, mes të cilëve ishte edhe avokati Altin Goxhaj.