Vendosni fjalën kyçe....

Greqia anulon të gjitha stërvitjet ushtarake deri në fund të epidemisë


Situata e krijuar nga Covid-19 dhe masat drastike që janë marrë në Greqi e ka detyruar Ministrinë greke të Mbrojtjes të anulojë të gjitha stërvitjet ushtarake dhe manovrat në shkallë të gjerë për të mos rrezikuar rekrutët prej Covid.

Sipas Ministrisë greke të Mbrojtjes në urdhëresën që iu dërgua të gjitha reparteve të vendit, iu bëhet me dije se përveç anulimit të stërvitjeve dhe manovrave, komandave lokale ushtarake iu jepet drita jeshile që të lejojnë rekrutet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre në rastet që ajo nuk rrezikon sigurinë e vendit dhe atë të reparteve.

Përjashtim bëjnë vetëm repartet në zonën kufitare me Turqinë, ku siç dihet forcat greke të mbrojtjes janë në gatishmëri për të penguar kalimin e emigrantëve që tentojnë të kalojnë vijën kufitare mes dy vendeve. Manovra ushtarake në shkallë të gjerë “Stuhia 20” që ishte parashikuar të zhvillohej nga datat 11-19 maj në repartet e këmbësorisë në ishujt e detit Egje dhe me pjesëmarrjen e Forcave Elitare të Marinës u anulua.

Urdhëresa sqaron se mbetet në fuqi ndalimi i transferimeve në ushtri, ndërsa deri në fund të majit nuk do të ketë rekrutime të reja. Masat drastike të marra prej qeverisë kanë bërë të mundur që në ushtrinë greke të jenë prekur vetëm 0.005 % të personelit ushtarak me Covid-19.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *