Bashkëkyretari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri në një intervistë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” ka deklaruar se po mendohet që të ndryshohen datat e zgjedhjeve.
Gjiknuri tha se do hiqen muajt e nxehtë të qershorit dhe shtatorit pasi nuk lejojnë zhvillimin e një fushate të qetë.
“Për të ndryshuar datën e zgjedhjeve, duke hequr muajt e nxehtë, qershorin, shtatorin si muaj potencialë zgjedhjesh, sepse realisht klima po ngrohet dhe vëmendja është tek turizmi, temperaturat janë të tilla që nuk lejojnë një fushatë të qetë“- është shprehur Gjiknuri.
Më tej, ai tha se do merret edhe mendimi nëse ndryshimet prekin Kushtetutën. Listat e hapura tha Gjiknuri se mund të sjellin tensione të brendshme partiake.
“Do t’i dëgjojmë të gjithë, pasi të gjitha palët janë me të drejta reale të barabarta. I kemi nisur disa pyetje ekspertëve nëse ndryshimet prekin Kushtetutën dhe do të shikohet se si do të qasemi. Sistemi aktual është shumë i mirë, nëse nuk arrijmë të gjejmë konsensus, do të jemi të gatshëm të bëjmë kompromis. Hapja e listave mund të sjellë tensione të brendshme, ku secila parti të krijojnë koalicione sipas peshës” tha ai.
Ndërsa përdorimi i teknologjisë, për Gjiknurin, do jetë problem vetëm shtrirja pasi mund të bllokojë zgjedhjet nëse nuk funksionon teknologjia.
“Mendohet edhe përfshirja e teknologjisë në zgjedhje apo identifikimin e zgjedhësve apo për shkeljet që bëhen. Jemi dakord të përfshijmë çfarë ka kërkuar opozita, por problemi është sa mund ta shtrijmë. Nëse është e pamundur, nuk mund të vihen zgjedhjet në pikëpyetje se nuk funksionon teknologjia. Ka forma alternative tradicionale, nëse nuk funksionin teknologjia, por do të marrim opinionin e ODHIR se sa mund ta shtrijmë“- është shprehur ai.