Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një video-mesazh, njoftoi nisjen e mësimit për maturantët në 18 maj, duke shpjeguar disa nga rregullat dhe masat që janë ndërmarrë në shkolla në kuadër të epidemisë.
“Rregulli i parë, është vendosja e maskës para shkollës dhe rreshtimi në distancë 1.5-2 metra nga njëri-tjetri, distancë e cila duhet të mirëmbahet gjatë gjithë qëndrimit në shkollë. Edhe ulja në klasat tuaja është organizuar në një distancë të tillë mes njëri-tjetrit. Nëse keni nevojë të përdorni dezinfektues gjatë qëndrimit në shkollë, keni në bankat e shkollës nga një dezinfektues që mund të përdoret gjatë ditës”- deklaroi Shahini.
Ministrja Shahini theksoi se në hyrje të secilës shkollë dhe në korridoret e secilit kat janë të vendosura postera me ilustrime të thjeshta të rregullave kryesore që duhet të ndiqen nga maturantët gjatë qëndrimit në shkollë.