Gjykata e Apelit në Tiranë ka shtyrë seancën që pritej të mbahej sot në orën 10:00, për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e policisë Jaeld Çela.
Shkak i shtyrjes janë bërë masat ndaj pandemisë COVID-19.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit si dhe apeli i saj kanë ngrirë gjyqet e themelit deri në heqjen e aktit normative numër 9 datë 25 mars 2020, i cili nuk lejon zhvillimin e proceseve të cilat nuk konsiderohen të ngutshme.
Gjyqi për Tahirin konsiderohet si jo i ngutshëm.
Sipas Apelit, në pritje të lehtësimit të masave do të njoftohet për seancën e radhës.
Kujtojmë se ish-ministri Saimir Tahiri fitoi pafajësinë në shkallë të parë për akuzën e trafikut të drogës e grupit kriminal, ndërsa u dënua me shërbim prove për shpërdorim detyre. Por prokuroria apeloi këtë vendim duke kërkuar dënimin e tij, ndërsa vetë Tahiri gjithashtu apeloi vendimin për të kërkuar pafajësinë edhe për akuzën për shpërdorim detyre.