Shkon në katër numri i të arrestuarve lidhur me një grabitje me armë të ndodhur në tetor të vitit të shkuar në Dibër. I arrestuari është një 34-vjeçar me inicialet V. S., banues në Kukës.
“Vijon operacioni policor “Shumbati”. Shkon në katër numri i të arrestuarve për vjedhjen me armë të një shume parash në një banesë. Kapet autori i katërt i vjedhjes me armë të një shume parash në fshatin Grykë Nokë, Dibër (ngjarje e ndodhur tetor 2019).
Strukturat e Policisë së Dibrës, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të veprave penale, si dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim: V. S., 34 vjeç, banues në Kukës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Policia e Dibrës, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë ( të cilët janë arrestuar më parë), kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një shumë parash në banesën e shtetasit I. H.
Për këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, mbetur në tentativë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për hetime të mëtejshme.”– thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja ka ndodhur në tetor në fshatin Grykë Nokë, në Dibër. Katër persona janë futur me armë në banesën e shtetasit me inicialet I.H, ku kanë marrë shumën prej 300.000 lekësh, dhe më pas janë larguar me një automjet tip ‘Opel’.
Në momentin që ata kanë konstatuar se po ndiqeshin nga policia kanë braktisur mjetin e tyre duke u fshehur në malin e fshatit Shumbat.
Pas disa orësh ndjekjeje dhe mbajtje nën rrethim nga policia arrestoi dy shtetasit: M.M, 26 vjeç dhe D.M, 26 vjeç, banues në Kukës.
Dy të tjerët u shpallën në kërkim. I dyshuari i tretë M.K, 25 vjeç, u arrestua në muajin nëntor.