Vendosni fjalën kyçe....

Studentët protestojnë para Ministrisë së Arsimit, kërkesat që kanë


Një grup studentësh janë mbledhur në protesta përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, duke shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me mësimin online, tarifat e universitetit dhe të konvikteve.

Protesta është organizuar nga përfaqësues të Lëvizjes për Universitetin, të cilët shprehen se gjatë kësaj periudhe, jo të gjithë studentët kanë patur akses në internet për të marrë pjesë në mësimin e zhvilluar online.

“Ne jemi sot këtu, për të kërkuar asgjë më shumë se sa të drejtat tona dhe për t’i dhënë fund diskriminimit të studentëve. Prandaj bëjmë thirrje për anulimin e mungesave të marra gjatë mësimit online dhe krijimin e një arkivi leksionesh të çdo lënde, me qëllim rekuperimin e leksioneve të humbura nga studentët. Anulimin e pagesave të qirave e të konsikteve, si masë e domosdoshme për të përballuar krizën me të cilën po përballemi dhe anulimin e pagesave të tarifave për këtë vit akademik. Kërkesa jonë për arsim publik falas është sot më aktuale dhe më e nevojshme se kurrë. Ne nuk ndalemi”- thanë studentët në deklaratën e tyre të përbashkët.

Po ashtu, ata shprehin shqetësime lidhur me pagesat e qirave, pasi një pjesë e pronarëve nuk e kanë zbatuar urdhrin e kryeministrit Edi Rama për të mos i vënë studentët përpara barrës për t’i paguar gjatë krizës.

 “Studentët që janë me qira, janë aktualisht në rrethe për shkak të situatës shëndetësore dhe pjesa më e madhe e pronarëve nuk i kanë zbatuar rregullat e vëna nga kryeministri, kështu që me fillimin e mësimit paga e qirave me siguri do të merret nga pronarët.”– tha një nga studentët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *