Mëngjesin e sotëm, saktësisht në orën 04 e 30 më shumë se një mijë forca policie të të gjitha kategorive e fadroma të bashkisë së Tiranës nisën aksionin për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe atij Esperimental, pak metra larg godinës së Ministrisë së Brendshme.
Një ngjarje e paralajmëruar prej kohësh nga kryeministri Rama e kryebashkiaku Veliaj.
Për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një të riu, shumica socialiste miratoi një ligj të posaçëm në Kuvend ndërsa u tërhoq nga partneriteti publik-privat me kompaninë Fusha, me të cilën kishte parashikuar të ndërtonte teatrin e ri, duke i dhuruar kompanisë në fjalë truall publik për ndërtimin e disa kullave.
Pak ditë më parë me anë të një VKM-je, kryeministri Rama ia kaloi nën administrim Bashkisë Tiranë truallin e Teatrit Kombëtar.
Në mekanizëm u përfshi edhe një peticion i nënshkruar nga dhjetëra artistë në vend që kërkonin një teatër të ri ndërsa në media qarkullonte një vendim i Këshillit Bashkiak për prishjen e teatrit ende pa u zhvilluar mbledhja e tij.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, IMT-ja e Bashkisë e mbështetur nga më shumë se 1 mijë forca policie shkatërroi fillimisht fasadën e Teatrit Eksperimental e më pas atë të atij Kombëtar.
Gjatë aksionit në orët e para të mëngjesit, policia shoqëroi dhjetëra qytetarë, artistë e ish-deputetë, ndërsa shoqërimi i qytetarëve vijoi edhe pas orëve të para të mëngjesit.
Gazetarë, qytetarë e ish-deputetë janë shoqëruar dhunshëm nga policia madje disa prej tyre janë goditur gjatë aksionit për moslejimin e tyre që t’i afroheshin Teatrit Kombëtar.
Pas prishjes së teatrit, kryeministri Rama shpërndau një video me mesazhin se askush nuk do e ndalë dot Tiranën. Aksioni për prishjen e tij është dënuar nga president Meta dhe liderët e opozitës, Basha e Kryemadhi.