Vendosni fjalën kyçe....

Budina thirrje qytetarëve: Të protestojmë kundër këtij shteti kriminal


Regjisori Edmond Budina, një nga aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e ditës së sotme ndërsa tha se qytetarët që nuk mund të vijnë në Tiranë të protestojnë në qytetet e tyre.

Ai tha se policia e bashkia shkuan te Teatri Kombëtar për të vrarë personat që ishin aty ndërsa e cilësoi si kriminale sjelljen e tyre.

“Ne kemi treguar shumë qytetari në dy vite e gjysmë, ndërsa ata erdhën për të na vrarë. Mijëra force policie për 50 veta? Është një mënyrë kriminale, me të cilën ata sillen ndaj kulturës së tyre. Ai teatër ishte i të gjithë qytetarëve të Tiranës, edhe i atyre që nuk janë më. Për ne është i mirëpritur kushdo që ngrihet. Nëse partitë duan të na bashkohen, bujrum le të vijnë, nëse nuk duan, në djall vafshin. Unë nuk kam ndërmend të bëj parti politike, por lëvizja duhet të fillojë në mbarë vendin, sepse politika po sjell shumë dëm. Politikanët shqiptarë janë të paskrupuj dhe marrin vendime edhe në dëm të kombit. Ne jemi një lëvizje qytetare që do vazhdojmë të përkrahim qytetarët.” – tha Budina.

Lidhur me teatrin Budina tha se mbështet rindërtimin e Teatrit Kombëtar ashtu siç ka qenë por me parametra modernë.

Ai tha gjatë intervistës për News24, se Rama po e përdor pandeminë Covid-19 për të penguar njerëzit të protestojnë.

“Unë do insistoj deri në fund që teatri të ndërtohet ashtu siç ishte, por me parametra modern. Do ja kërkojmë edhe “Europa Nostra”, pasi ai teatër duhet të ngrihet aty, ashtu siç ishte. Dhe një teatër i ri le të ndërtohet diku tjetër. Ata kanë bërë krim, në zhdukjen e kulturës dhe kujtesës kombëtare, por edhe duke mbuluar gjëra të tjera. Hajdutërit janë në funksion. Ne e kemi respektuar këtë teatër, sepse e kemi dashur. Rastin e koronavirusit ai po e përdor pikërisht që njerëzit të mos vijnë. Megjithatë, edhe nëse s’i lënë këtu, të ngrihen në qytetet e tyre, kudo që janë, të mos i binden këtij shteti kriminal, që nuk lejon qytetarët e saj të ngrenë zërin.” – shtoi Budina gjatë intervistës.

Ai theksoi gjitashtu se është ndjerë i tradhëtuar nga ana artistë që kanë firmosur për prishjen e teatrit ose që kanë heshtur kur dihej se ajo ishte një aferë korruptive.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *