Jo vetëm për artistët, por shembja e godinës së Teatrit Kombëtar ka qenë e vështirë edhe për gazetarët e Kulturës që prej vitesh kanë raportuar për atë skenë, shfaqjet dhe problematikat, intervistat që kanë bërë aty.
I tillë është rasti i gazetares Elsa Demo, e cila thotë se e ka të vështirë që të shohë pamjet e Teatrit të shembur. E ftuar në Ditarin e A2, Demo komentoi atë që ndodhi ditën e dielë, duke thënë se erdhi e papritur për shkak të reagimeve të një dite më parë nga faktori ndërkombëtar dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Unë nuk kisha për të raportuar aty. Më ka dalë gjumi rreth orës 07:00 të mëngjesit, kur kishte filluar tashmë procesi i shembjes së Teatrit Kombëtar. E kam shtëpinë shumë larg dhe më është dashur të zbres në këmbë. Erdhi një shok të më marrë në një pikë rruge dhe kthehem po prap mbapsht në këmbë. Taksitë nuk funksiononin. E përfytyroj se sa njerëz e kanë patur këtë…. (transmetohen pamjet e Teatrit duke u shembur). Ju lutem nëse është e mundur atë pamje nuk mund ta shoh dot. Nuk e shoh dot atë pamje që keni vënë tani.
Dua të them që shumë njerëz kanë patur të njëjtin problem dhe nëse do donin të ishin aty në atë moment dhe të shihnin çfarë ndodhte me Teatrin Kombëtar, e kanë patur problemin e qarkullimit. Që tani e kuptojmë se është kompozuar, është planifikuar në mënyrë të tillë që ky krim të ndodhte ashtu siç ndodhii. NË pabesi të plotë dhe në mungesë të plotë të transparencës.
Njeriu e mendon të keqen dhe i mendon të dy skenarët, edhe që ai Teatër do mbijetonte dhe unë e them që ai Teatër do të ribëhet. Mendon dhe pjesën tjetër që e keqja do të ndodhë. Por duke parë që reagimet e fundit ishin kaq intensive, që ai mekanizëm i rëndë qoftë i diplomacisë ndërkombëtare, qoftë edhe institucione të ndryshme si ai i Europa Nostra, apo Komisionerja për Kulturën pranë BE-së. E kishin dhënë pak a shumë sinjalin e tyre. Kishte reaguar një ditë më përpara Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ti mendoje që prit… një sekondë, këta zotërinj të paktën tani do ndalnin hapin, vrullin. Menduam që ngjarjet dhe diskutimi ndoshta do kthehej në publik nga e hëna.”– thotë Demo.
Më tej gazetarja e Kulturës shprehet tejet e revoltuar me kryeministrin Edi Rama, duke e krahasuar shembjen e Teatrit me një krim siç është vrasja.
“Ju e patë shumë mirë që s’është vetëm bashkia e Tiranës, është drejtpërdrejt kreu i qeverisë Edi Rama, i cili është një vrasës, i cili është një kriminel. Kriminel nuk është vetëm një njeri që godet një trup dhe ne shikojmë gjak që del nga ai trup. Dhe ky rast është një krim i pastër që i bëhet trupit të shoqërisë”- thotë Demo.