Një ditë pas protestës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, disa media pranë qeverisë kanë publikuar disa foto të një sherri që ka ndodhur sapo kryedemokrati Lulzim Basha i është bashkuar protestës.
Kur Basha u afrua në protestë, një pjesë e protestuesve nisën të bërtisnin “Yyyyy”, “Yyyyy” kundra tij. E disa kanë thirrur “Basha ik”, për shkak se ai u kishte premtuar publikisht aktivistëve, se Teatri do të shembej vetëm nëse fadromat kalonin mbi trupin e tij. Por Teatri u shemb dhe Basha as nuk ndodhej fare aty.
Nëse mediat pranë opozitës s’e kanë raportuar këtë sherr, mediat pranë qeverisë shkruajnë se ish-drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, ka goditur disa protestues vetëm pse këta të fundit thirrën “Basha ik”. Lidhur me këtë ka dhe disa foto, ku Hoxha përplaset me protestuesit.
Por një detaj që nuk përmendet në raportim është se disa kapsolla ishin hedhur në drejtim të Bashës, vetëm disa sekonda përpara se të ndodhte ky sherr, e jo pas, çka mund të ketë qenë arsyeja e vërtetë pse nisi përplasja. Por nuk hidhet poshtë mundësia që personat janë rrahur edhe për shkak të thirrjeve kundër kryedemokratit. Ajo që mbetet është se ata janë rrahur, dhe Florenc Hoxha në këto foto nuk duket në pozicion të favorshëm.
Ishin thirrjet e regjisorit Robert Budina, që arritën të qetësonin protestuesit dhe të pushonin sherrin e krijuar.