Lirohen nga burgu disa persona të dyshuar si anëtarë të grupit “Bajri”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka pranuar kërkesën e avokatëve mbrojtës, Arbër Hoxha dhe Sokol Tahiraj, duke hequr masën e sigurisë “arrest me burg”. Vendimi u mor nga gjyqtari Besmir Stroka.
Kështu janë liruar Ismet Idrizi, Asmer Bilali dhe Samet Halluni.
Kështu është shuar masa ‘arrest në burg’ për Safet Bajrin, por megjithatë ai do vijojë qëndrimin në burg vetëm për vendimin penal të formës së prerë. Bëhet fjalë për dënimin e dhënë nga drejtësia belge prej 9 vitesh burg, me akuzën për trafik droge dhe prostitucion.
Po ashtu janë zgjatur afatet e paraburgimit për Behar Bajrin dhe Ilir Bajrin.
Gjithashtu masa e sigurimit është zëvendësuar edhe për Emrah Plakun dhe Jorida Muratin, nga “arrest shtëpie” në “detyrim për paraqitje” në policinë gjyqësore.
Sjellim ndërmend se Safet Bajri u arrestua në Tiranë në shtator të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve belge. Ai ishte dënuar dy herë në Belgjikë, i akuzuar si personi që kontrollonte tregun e prostitucionit në Bruksel.