Vendosni fjalën kyçe....

Skandali i mesazheve/ Si po e manipulojnë reformën në drejtësi ambasadat e SHBA e BE


Presidenti Ilir Meta publikoi të hënën në “Opinion” disa mesazhe shumë të rënda, të cilat hedhin dritë mbi kulisat e errëta se si përzgjidhen politikisht personazhet e reja të reformës në drejtësi.

Ato tregojnë njëkohësisht sa i fortë është ndikimi politik i qeverisë, se si nëpërkëmben ligji dhe Kushtetuta e vendit nga diplomatë që sillen si pazarxhinj, se si po bëhet gjithçka për të mbajtur gjallë një reformë të dështuar, qoftë dhe me çmimin e deformimit të çdo norme.

Për të kuptuar më mirë peshën e këtyre mesazheve, duhet të zhvendosemi në sfondin kohor kur ndodhi ngjarja.

Presidenca dhe shumica parlamentare gjendeshin një një konflikt lidhur me mënyrën se si do të zgjidheshin anëtarët e Kushtetueses.

Socialistët, të cilët siç do e dëshmonte më pas Komisioni i Venecias, kishin kapur kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, i cili me një varg veprimesh të paligjshme, donte ta zhvishte presidentin nga e drejta e zgjedhjes së një anëtari të kushtetueses.

Kështu u krijua konflikti i famshëm nëse në këtë Gjykatë duhet të shkonte Arta Vorpsi (sipas Ramës) apo Marsida Xhaferllari (sipas Metës).

Pikërisht në këtë moment të historisë, janë shkëmbyer këto sms. Po të lexohen ato, del hapur se ambasada e BE dhe SHBA njohën Vorpsin (pjesa e parë me bold/ poshtë), nuk e mbështetën opinionin e presidentit Meta, madje bënë fiks ashtu sikurse kishin kërcënuar paraprakisht duke e përshëndetur zgjedhjen e Arta Vorpsit publikisht.

Teksti i përkthyer në shqip:

“Mirëmëngjesi Beni. Takova kolegët e mi amerikanë dhe të BE-së këtë mëngjes, folëm me Ramën në telefon, dhe zyrat ligjore të këtyre të dyjave, (SHBA- BE), nuk e mbështesin pozicionin e Presidentit për pezullimin. Ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues. Dhe ata do të dalin sot publikisht, edhe kemi rënë dakord që ta themi para.

Sidoqoftë, Rama ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën tjetër të Presidentit, që do të bëhet shumë shpejt. Rama do të përpiqet të mos e bllokojë këtë. Përsëri më kërkuan që t’ua përcjell këtë mesazh”.

Ky veprim i dy selive diplomatike në vend, për turpin e tyre, do të diskreditohej nga qëndrimi që mbajti në 7 mars Komisioni i Venecias, i cili denoncoi të gjitha piruetat e Ardian Dvoranit dhe arriti në konkluzionin se emërimet ishin bërë në mënyrë antikushtetuese.

Sipas Komisionit të Venecias, dërgimi nga ana e KED-së te Presidenti i dy listave njëkohësisht, dërgimi i listave në Parlament, 6 ditë më vonë dhe numri i kufizuar i kandidatëve, vetëm 6 për katër vende vakante  “krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”.

Por ky manipulim i dy selive diplomatike, për të mbyllur me shpejtësi këtë etapë të reformës pa përfillur asnjë procedurë dhe në shkelje të kushtetutës, nuk është asgjë përpara asaj që përmban pjesa e dytë e mesazheve të publikuara (paragrafi i dytë me bold).

Aty duket se si diplomatët negociojnë me presidentin për diçka që nuk u takon dhe që normalisht duhet të jetë kompetencë vetëm e KED, si institucion i “pavarur”.

Ata thonë se Edi Rama (pra kryeministri, politikani, i akuzuari si kapës i reformës) bie dakord se një institucion, për të cilin ai prezumohet të mos ketë asnjë kompetencë, është i gatshëm që Marsida Xhaferllari të përfshihet në një listë të dytë nga KED.

Eshtë skandaloze të thuhet se çfarë tregon kjo.

E para, për rolin e kryeministrit në emërimet në drejtësinë e re.

E dyta, për diplomatët pelivanë që ofrojnë pazare në kurriz të ligjit.

E treta, për gënjeshtrat që këta ndërkombëtarë i bëjnë publikut, duke i treguar përrallën e një “historie suksesi”.

E katërta, për rrëzimin e fabulës se po bëhej një reformë për ta shkëputur drejtësinë nga kontrolli i politikës.

Për të gjitha këto arsye, mëkati i shkeljes së  konfidencialitetit nga Ilir Meta është një e mirë që presidenti i bën interesit publik.

Sepse ai jep një provë të pakundërshtueshme, jo vetëm për kulisat e fëlliqura të reformës në drejtësi, por edhe për themelet e krisura mbi të cilat po ngrihet ajo.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Lapsi


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *