Ndikimi i pandemisë Covid-19 në ekonominë e eurozonës ka qenë i rëndësishëm, sipas Bankës Qendrore Evropiane (ECB), duke rritur dobësitë themelore financiare të zonës euro.
Rishikimi i Stabilitetit Financiar i majit 2020 nga ECB-ja sugjeron që përgjigjja fiskale e qeverive të BE-së ndaj pandemisë mund të shtronte pyetje mbi aftësinë e tyre për të shlyer borxhet dhe mund të ngjallte kërcënimin e vendeve që të lënë monedhën e përbashkët.
“Nëse masat e marra në nivelin kombëtar ose evropian konsiderohen të pamjaftueshme për të ruajtur qëndrueshmërinë e borxhit, vlerësimi i tregut të rrezikut të rizhvendosjes mund të rritet më tej,” tha ECB-ja.
“Risku i rizhvendosjes” i referohet rrezikut të disa vendeve që mund të braktisin euron ose rrezikut të shembjes së monedhës së përbashkët, euro.
Sipas vlerësimeve të ECB-së, borxhi publik i eurozonës do të rritet me 7 deri në 22 pikë përqindje në vitin 2020, pasi qeveritë huazojnë qindra miliarda euro për të mbështetur ekonomitë e tyre.
Kjo ka shtyrë raportin e përgjithshëm të borxhit ndaj PBB-së së rajonit nga 86 përqind në gati 103 përqind.
Zakonisht, vendet e eurozonës synojnë borxhin publik nën 60 përqind, por ai kufi është pezulluar gjatë krizës së koronavirusit.
Sidoqoftë, ECB-ja theksoi se shpenzimet qeveritare “kanë zbutur ndikimin dhe pritet të mbështesin rimëkëmbjen ekonomike”.
“Pandemia ka shkaktuar një nga kontraktimet më të mprehta ekonomike në historinë e fundit, por masat e gjera të politikave kanë shmangur një shkrirje financiare,” tha zv,presidenti i ECB-së, Luis de Guindos.