Presidenti Meta ka deklaruar ditën e sotme se publikimi i mesazhit të tij me diplomatin e huaj është akt sovraniteti, transparence e paralajmërimi për çdo aktor që mban përgjegjësi për dështimet e rënda të reformës në drejtësi.
Në një intervistë për Albanian Daily News, kreu i shtetit tha se mesazhi tregon paaftësinë e ekspertëve ndërkombëtarë të cilët mbështetën kreun e KED-së, Dvorani në shkelje të Kushtetutës për t’i rrëmbyer presidentit kompetencat kushtetuese.
“Ky mesazh po publikohet mbas 7 muajsh, pikërisht sepse është më aktual se kurrë dhe shërben si një kambanë alarmi për të gjithë. Ai tregon se ishte i domosdoshëm si një akt sovraniteti, transparence, por edhe paralajmërimi, për cdo aktor që mban përgjegjësi për dështimet e rënda të Reformës në Drejtësi dhe që tenton ta ndajë këtë dështim me të vetmin aktor të përgjegjshëm, me integritet, super-bashkëpunues, dhe paralajmërues për këto pasoja të zbatimit të njëanshëm dhe në errësirë të Reformës në Drejtësi që është Presidenti i Republikës.
Mesazhi synon të tregojë paaftësinë e ekspertëve ndërkombëtarë të cilët në rastin në fjalë nuk mbështesnin qëndrimin e Presidentit por qëndrimin e z. Dvorani, pra të Kryeministrit Rama, në shkelje të qartë të Kushtetutës për t’i rrëmbyer Presidentit një kompetencë kushtetuese që i takonte vetëm atij.
Presidenti u kishte dërguar të gjithë ambasadave të Bashkimit Europian dhe asaj të SHBA që në 5 nëntor shkresën zyrtare drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruci, Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit, dhe Avokatit të Popullit, ku në mënyrë të qartë paralajmëronte që të evitohej një përplasje institucionale dhe kërkonte bashkëpunim për të respektuar Kushtetutën secili sipas radhës.” – tha Meta.
*Intervistën e plotë të presidentit Meta mund ta lexoni Këtu