Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, paraditen e sotme ka shkuar në Fushë-Krujë, ku takua me punonjës të fasonerive.
Kryedemokrati tha se shqiptarët sot po përballen me mungesën e ndihmës së qeverisë të premtuar gjatë pandemisë. Basha tha se kjo mungesë ndihme po e ccon biznesin e fasonerive drejt mbylljes.
“Shqiptarët në çdo cep të vendit po përballen sot me mungesën e ndihmës së qeverisë të premtuar gjatë pandemisë. Premtime boshe nga një njeri i dështuar! Më shumë varfëri dhe papunësi për qytetarët ndërkohë që lekët e tyre Edi Rama i ndan me një grusht oligarkë.
Punonjës dhe drejtues të disa fasonerive në Fushë-Krujë më folën për hallet e tyre të lidhura me mungesën e mbështetjes dhe ndihmës nga qeveria gjatë pandemisë. Paga e premtuar nga Edi Rama është një tjetër dështim i tij të cilën shumica e punojësve nuk e ka marrë. Pronarët janë detyruar të largojnë punonjësit nga puna ndërsa e ardhmja e afërt duket e zymtë për ta, pasi mungesa e ndihmës ekonomike po e çon biznesin e fasonerisë drejt mbylljes.
Sikur të paguante pagën minimale për këtë kategori punonjësish buxhetit të shtetit do t’i kushtonte 25 milionë euro. Këto para që ju takojnë njerëzve Rama ua jep oligarkëve pasi ka shitur pronat e shqiptarëve dhe shtetin tek oligarkët dhe po bën tregti edhe me djersën e njerëzve. Edhe në këto kohë emergjence, Rama zgjodhi të ndajë paratë dhe pasuritë e shqiptarëve me oligarkët duke i braktisur njerëzit kur ata kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetje.”– thotë Basha.
Siç shihet edhe në fotot e mëposhtme, pas vizitës në ambientet e biznesit, Basha është ulur më pas dhe në një kafe me përfaqësuesit e fasonerive.