Ish-oficeri i policisë i filmuar teksa i kishte vënë gjurin në qafë një afro-amerikani, i cili vdiq më vonë, është arrestuar, thanë autoritetet e Minesotës.
Arrestimi vjen pas dy ditësh trazirash dhe plaçkitjesh në qytet. Derek Chauvin u arrestua të premten, raportoi media lokale duke cituar John Harrington, komisioner të Departamentit të Sigurisë Publike në Minesota.
Chauvin dhe tre oficerë të tjerë u pushuan nga puna, pasi u bë publik video e arrestimit të 25 majit të George Floyd.
Në pamjet e publikuara, Chauvin mund të shihet duke i vënë gjurin në qafë George Floyd-it, ndërsa afro-amerikani dëgjohet duke thënë se nuk mund të marrë frymë. Floyd vdiq më pas në paraburgim.
Chauvin është akuzuar për vrasje të shkallës së tretë, njoftuan autoritetet lokale, akuzë për të cilën mund të përballet me 25 vite burg. Ai kishte qenë me departamentin e policisë për 19 vjet ndërsa gjatë karrierë ishte akuzuar për disa incidente që kishin të bënin me përdorimin e forcës.
Prokurori i Qarkut Hennepin, Michael Freeman, raportohet se do të paraqesë akuza kundër tre oficerëve të tjerë të përfshirë në arrestimin dhe vdekjen e Floyd.
Vdekja e Floyd ka shkaktuar trazira të shumta në qytet, protesta e përplasje mes qytetarëeve e policisë. Ngjarja e rëndë po hetohet gjithashtu nga FBI dhe sektori i të drejtave civile të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-ve.