Revista Forbes ka hequr nga lista e miliarderëve Kylie Jenner, duke e akuzuar atë dhe familjen e saj se kanë fryrë me qëllim vlerat e biznesit të saj të kozmetikës.
Sipas revistës, familja Kardashian-Jenner ka sajuar dokumentet financiare për ta paraqitur Kylie-n si më të pasurën mes tyre.
Megjithatë Kylie Jenner ka reaguar përmes një postimi në “Twitter” duke i hedhur poshtë këto pretendime.
“Për çfarë po zgjohem… Unë mendoja se ky ishte një sajt me reputacion.. të gjitha ato që shoh janë një numër i deklaratave të pasakta dhe supozime të paprovuara lol. Kurrë nuk kam kërkuar ndonjë titull ose jam përpjekur të gënjej për të arritur atje. Pikë.”– shkruan më e reja mes motrave Kardashian-Jenner.
Madje në një postim tjetër ajo thotë se mund të përmendë një listë me 100 gjëra më të rëndësishme tani sesa të përcaktojë se sa para ka.
Revista Forbes e shpalli yllin e reality show-t një miliardere në vitin 2019, duke ia referuar këtë suksesit që Kylie ka patur me kompaninë e saj të kozmetikës, të cilën e themeloi në vitin 2015.
Kylie shiti 51 përqind të Kylie Cosmetics në janar të këtij viti, marrëveshje e cila arriti shumën prej 1.2 miliard dollarësh.
Mirëpo dosjet e publikuara nga Coty gjatë gjashtë muajve të fundit, zbuluan një nga sekretet e ruajtura më mirë të familjes: se Kylie nuk kishte pasur aq shumë fitime sa kishin deklaruar. Llogaritjet e reja të Forbes e vendosin pasurinë personale të saj në më pak se 900 milionë dollarë.